Çka i pret shqiptarët në Maqedoni
Analistët kosovarë japin vlerësimin e tyre për tendosjet e fundit politike në Maqedoni si dhe alternativat që duhet të ndiqen nga politika shqiptare.
Nexhmedin Spahiu: “Tani për tani politika shqiptare duhet ta bëjë “Kur`an” Marrëveshjen e Ohrit e më pas të mendojë më tutje. Politika ofensive e opozitës tregohet tejet primitive”.
Halil Matoshi: “FYROM-i aktual nuk mund te ndërtohet kurrë si shtet qytetar mbietnik, përderisa kombi maqedonas e ka uzurpuar shtetin. Shqiptarët të shohin edhe alternativat duke mos treguar lojalitet”.
Maqedonia dhe projekti “Shkupi 2014” është në qendër të vëmendjes edhe të opinionit politik dhe mediave në Kosovë. Një pjesë e madhe e analistëve të këtij vendi po ndjekin zhvillimet, duke aluduar në dështimet që po rrjedhin nga faktori politik shqiptar, por edhe skenarët e tepruara nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevskit dhe kursit nacionalist e populist të subjektit të tij politik. Përkushtimi rreth Marrëveshjes së Ohrit, mungesa e vizionit për Maqedoninë, jolojaliteti i shqiptarëve në këtë vend si dhe alternativat e tjera, janë disa nga vlerësimet dhe analizat që vijnë nga analistët dhe qarqet politike në Prishtinë.
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu vlerëson se roli politik i shqiptarëve në Maqedoni është shumë defansiv. “Ky rol edhe kur bëhet ofansiv tregohet tejet primitiv dhe kështu i bënë dëm vetes edhe më shumë. Sikur edhe klasat politike të shqiptarëve kudo që janë edhe ajo në Maqedoni, vuan për mungesë vizioni dhe konceptimi i strategjisë që mund të realizohet. Ajo çfarë mendoj se ku aktualisht duhet të fokusohet politika shqiptare në Maqedoni është Marrëveshja e Ohrit. Kur ajo të realizohet atëherë mund të mendohet se çfarë më pas. Tani po dilet me idenë e kombit shqiptar në Maqedoni. Ky edhe duhet të jetë një synim strategjik, por mendoj se është e parakohshme të dilet me këtë si synim politik”, ka theksuar analisti Spahiu.
Sipas tij, shpalosja e këtyre synimeve për momentin nuk i shkon në favor shqiptarëve.
”Dalja në opinion me këtë synim politik në kohën kur shqiptarët në Maqedoni nuk po janë të zotë ta imponojnë realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila shqiptarëve të Maqedonisë ua siguron pozitën pak më të favorshme se sa të një minoriteti etnik, por gjithsesi larg të të qenit komb, mund ta cenojë vetë realizimin e këtij synimi politik. Mendoj se tani për tani politika shqiptare në Maqedoni duhet ta bëjë Bibël e Kur'an Marrëveshjen e Ohrit e më pas të mendojë për më tutje”, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA analisti Nexhmedin Spahiu.
Analisti Halil Matoshi vlerëson për agjecinë e lajmeve INA se shqiptarët duhet të shtojnë presionin që Maqedonia e re të shëndrrohet në një shtet dykombësh dhe dygjuhësor.
“Klasa politike e shqiptarëve etnik në Maqedoni duhet që të bashkohen rreth interesave vitale të kësaj bashkësie, që të bëjë presion direkt mbi shtetin, që Maqedonia e Re të shpallet shtet dykombësh dhe dygjuhësor, ngjashëm me modelin belg. Përndryshe FYROM-i aktual nuk mund të ndërtohet kurrë si shtet qytetar mbietnik, përderisa kombi maqedonas e ka uzurpuar shtetin. Elitës politike maqedonase duhet t'i shtrohet pyetja: Cilit komb i përket shteti? Nëse ata deklarohen se shteti është i maqedonëve, atëherë shqiptarët duhet ta rishikojnë pozicionin e vet”, ka theksuar Matoshi.
Sipas tij, rruga që mund të ndiqet nga shqiptarët është të shpallin “Republikën e Pollogut” dhe t'i ndërtojnë strukturat paralele (me mjete politike) duke mos qenë luajalë ndaj Parlamentit dhe organeve shtetërore. “Pra duke e lëshuar ‘Sobranjen’ dhe vendet ministrore, deri sa Maqedonia të shndërrohet në shtet-komb qytetar si bashkësi e vullnetit të të gjitha grupeve etnolinguale”, ka theksuar analisti Halil Matoshi.
Partitë politike në Kosovë nuk kanë dashur të komentojnë zhvillimet e fundit në Maqedoni, duke theksuar se partitë shqiptare atje duhet të përkushtojnë vëmendjen dhe angazhimin për tejkalimin dhe zgjidhjen e problemeve të brendshme në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. (INA)