Pengohet falja e xhumasë në xhaminë e PrilepitBesimtarët mysliman në Prilep iu shmangën incidentit që mund të shkaktohej nga një grup qytetarësh maqedonas të cilët i penguan ata të falnin namazin e xhumasë, në oborrin e xhamisë së qytetit, e njohur si xhamia e Çarshisë, por e djegur gjatë konfliktit të vitit 2001.
Por jo të gjithë ndajnë mendimin e këtij grupi që penguan sot besimtarët mysliman të kryejnë obligimet e tyre fetare.
“Unë habitem ku jetojmë, në shekullin e 21. Kjo është një nga xhamitë më të vjetra në Ballkan. Kjo është turp për këtë qytet dhe gjithë shtetin”, tha një qytetar.
Një ndër më të zëshmit në pengimin e realizimit të riteve fetare nga ana e myslimanëve ishte edhe ish kryetari i komunës Ilija Dimoski. Ai theksoi se nuk është kundër riparimit të xhamisë por, ajo duhet të shërbejë si muze dhe jo si objekt fetar.
“Me shpërnguljen e popullatës turke nga këtu dhe largimin e tyre në Turqi, ky objekt mbeti përmendore e kulturës meqë nuk kishte kush ta shfrytëzonte. Kjo që ndodh sot është çështje ekstreme e organizuar. Unë shoh këtu që ka njerëz që kanë ardhur nga fshatra përreth”, tha Dimoski.
Për kapërcimin e kësaj situate, besimtarët mysliman i drejtuan thirrje BFI-së dhe partive politike të ndërhyjnë në zgjidhjen e kësaj çështje.
“Ne si mysliman të kësaj ane në emër të Myftinisë së Prilepit, kërkojmë nga BFI që të marrë hapa konkrete në veçanti u lëshojmë një porosi partive shqiptare në rend të parë BDI që të marrin hapa konkrete dhe ta drejtojnë syrin drejt kësaj ane, drejt kësaj popullate dhe të shohin se në çfarë gjendje ne jetojmë këtu”, deklaroi Muamet Sulejmani imam në fshatin Cërnilisht.
Pas presioneve të shumta nga qytetarët e Prilepit, besimtarët mysliman e falën namazin e xhumasë në lagjen e tyre. Në këtë xhami, besimtarët mysliman kanë falur që prej vitit 2001, vetëm namazin e Bajramit.
Xhamia në qendër të Prilepit është djegur më 8 shtator 2001 dhe me gjithë lejen për ndërtim deri tani nuk është ndërmarrë asnjë angazhim konkret nga ana e pushtetit qendrorë dhe ai lokalë për riparimin e saj.
Gjyltene Rexhallari
VIDEO-SHIKO:
http://alsat-m.tv/lajme/vendi/26251.html