PITER FEIT LEGJITIMON NJË „REPUBLIKË SRBSKA” NË KOSOVË !
Piter Feit ka propozuar një gradë më të madh të autonomisë për serbët e Kosovës!!
E përkthyer kjo në shqip, do të thotë se Evropa Plake, në veshje moderne të BE-së, edhe një herë po vepron antishqiptarisht, duke u bërë dhuratë serbëve një të ashtuquajtur „autonomi më të gjerë”.
Unë nuk e di dhe nuk e kuptoj sa e gjerë dëshiron Feiti të jetë autonomia e serbëve të veriut, pasi që ata nuk janë aspak në kontrollin e Prishtinës, por të Beogradit. Nejse, ndoshta në vend të fjalës „autonomi”, ai kupton „shtetformim” (boshnjakizim)?
Serbët nga veriu, deri më tani, kanë ndërtuar gjithë infrastrukturën e nevojshme për të jetuar të ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës, duke filluar me ndarjen e Mitrovicës, me enklavizime të tjera, dhe duke përfunduar me krijimin e „lidhjeve horizontale” midis komunave dhe atyre „vertikale”, me Beogradin, të „bekuara” prej Pakos Ahtisaari, nëpërmjet të ashtuquajturit „decentralizim” etnik.
Dhe gjithçka që do të kishin pritur është që Evropa Plake të pranojë një autonomi „më të gjerë”, dmth. një lloj federalizimi i Kosovës, pasi që veriu edhe tani e ka një autonomi shumë të gjerë.
Pra, si mik i mirë i tyre dhe jo vetëm i tyre, por edhe i sllavo-maqedonasve (ka qenë i pranishëm në nëshkrimim e marrëveshjes së Ohrit, një nga aktet më negative për shqiptarët nga Lugina e Vardarit), Piter Feit u jep sinjale serbëve, u jep dritë të gjelbërt për avancim të autonomisë së tyre në raport me Prishtinën.
Prej kësaj del falimentimin i deklaratave boshe të politikanëve të Prishtinës që shumë vite kanë gënyer se „do të bashkojmë Mitrovicën”, „do të veprojmë për integrimin e strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës”!
Këto deklarata, të përsëritura shumë herë, sipas parimit „gënje se të besojnë”, kishin qëllimin e mashtrimit të popullit shqiptar, se „së shpejti” do të mund të gëzohen në Kosovën e tyre sovrane dhe unitare.
Kot e pritën shqiptarët dhe pritja kaloi në amulli. Sot, askush nuk po reagon më në padrejtësitë të bëra popullit shqiptar në Kosovën „e pavarur”, por aspak sovrane dhe aspak unitare... , e udhëhequr prej Brukselit antishqiptar. Së paku me një demonstratë!
Populli shqiptar duhet të zgjohet nga „gjumi i vdekjes”, të parandalojë çdo boshnjakizim të Kosovës, edhe duke luftuar me armët në dorë për trojet e veta shqiptare, sepse asnjë pëllemb toke shqiptare nuk duhet të zotërohet nga pushtuesit dhe kolonizatorët sllavë.
Vera DUSHI
Gjakovë (Shqipëri Etnike), 6 mars 2010